📢 Shpallje Pozicioni Vakant në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
KOORDINATOR
në Drejtorinë e Mbikëqyrjes, Kontrollit dhe Inspektimit të Kultivimit, Prodhimit dhe Qarkullimit të Cannabis-it Industrial, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it,
📅 Afati i aplikimit: 30 shtator 2025, ora 16:00
🌍 Vendndodhja: Tiranë, Sky Tower, kati 13
💼 Kategoria e pagës II-1 sipas VKM-së nr.325/2023, të ndryshuar;
Paga bruto: klasa II- 1 (169 000 lekë) + shtesa për kushte të veçanta (90 000 lekë) + shtesa për vjetërsi sipas viteve të punës së punonjësit.
Marrëdhëniet e punës rregullohen në bazë të Kontratës Individuale të Punës që lidhet në zbatim të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë
✅ Kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë kandidati◊ Kushtet e përgjithshme
✓ Të jetë shtetas shqiptar;
✓ Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
✓ Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
✓ Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
✓ Të zotërojë diplomën universitare të Nivelit të 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
✓ Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
✓ Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze;
✓ Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paketës microsoft;
✓ Të mos jetë larguar nga puna me masë disiplinore, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
◊ Kriteret e veçanta etiko-profesionale
Fusha e kualifikimeve
Kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare të nivelit të 7 të KSHK-së (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë) në fushat:
– shkenca inxhinierike;
– shkenca mjedisore;
– shkencat e tokës;
– shkenca bujqësore;
– shkenca mjekësore/ shëndet publik;
– shkenca kimike/biologjike/ bioteknologji/ kimi industriale/kimi teknologji farmaceutike;
– farmaci;
– shkenca ekzakte;
– shkenca shoqërore.
* Preferohen kandidatët që zotërojnë diplomë në shkenca mjekësore/ shëndet publik/shkencave kimike/biologjike/ bioteknologji/ kimi industriale/kimi teknologji farmaceutike/farmaci.
*Diploma e nivelit Bachelor preferohet të jetë në të njëjtën fushë me Diplomën e nivelit Master Shkencor.
Eksperienca profesionale
Kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë në fushat vijuese:
– administratë publike;
– në fushën e zbatimit të ligjit 61/2023
– procese pune që lidhen me inspektimin;
– në fushën rregullatore të barnave/substancave psikotrope, aspekte rregullatore te sektorit farmaceutik.
Njohuri apo trajnime të tjera
Kandidati preferohet të ketë:
– certifikime apo trajnime të ndryshme në lidhje me detyrat kryesore;
– njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian.
◊ Kushtet për pastërtinë e figurës
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024, i ndryshuar. Për më tepër vizitoni linkun: https://www.nacc.gov.al/wp-content/uploads/2025/08/Udhezimi-nr.-274-i-ndryshuar.pdf
📂Dokumentet që duhet të dorëzojë kandidati
- Kërkesë për aplikim;
- Jetëshkrim i plotësuar në format europass(shkarko);
- Fotokopje e librezës së punës;
- Vetëdeklarim për masat disiplinore, si dhe që nuk është larguar nga puna me masë disiplinore, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi (shkarko formularin);
- Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024(shkarko).
- Formulari i vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;(shkarko fomularin) (shkarko cover)
- Fotokopje e kartës së identitetit ose të pasaportës;
- Certifikata familjare dhe personale;
- Certifikatë e gjendjes gjyqësore;
- Fotokopje të noterizuara të diplomave të arsimit të lartë. Për diplomat e studimeve të kryera jashtë vendit duhet të dorëzojë kopje të noterizuar të dokumentit njohjes/njësimit në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për arsimin;
- Dëshmi e njohjes së gjuhës angleze dhe, nëse disponohen, dëshmi për njohjen e gjuhëve të tjera të huaja pranohen dëshmitë të lëshuara nga Universiteti i Tiranës ose dëshmi të lëshuara nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare në përputhje me udhëzimin nr.52/2015, të cilin e gjeni në linkun vijues: https://www.qbz.gov.al/share/JLrh9wDsS0mUJhggOE3-9A
Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
- Vërtetim i gjendjes shëndetësore;
- Vërtetim i prokurorisë që vërteton se, nuk është në hetim për një vepër penale të kryer në fushën e narkotikëve, në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë dhe për vepra që kanë lidhje me integritetin dhe figurën morale.
- Vërtetim i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që vërteton se nuk është në hetim për vepra penale në fushën e narkotikëve, në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë, si dhe për vepra që kanë lidhje me integritetin dhe figurën morale, apo për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe krim të organizuar. Nëse aplikanti nuk disponon vërtetimin në momentin e aplikimit, ai duhet të dorëzojë dokumentin që vërteton kërkesë drejtuar SPAK për lëshimn e vërtetimit. Aplikanti duhet ta dorëzojë vërtetimin në çdo rast përpara datës së njoftuar për zhvillimin e intervistës).
- Çdo dokument tjetër, që vërteton kualifikimet, trajnimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
◊ Aftësitë e kërkuara
– Koordinim dhe realizim objektivash;
– Përcaktim objektivash, vendosur prioritete dhe respektim i afateve;
– Planifikim, rishikim dhe drejtim i punës;
– Organizim i burimeve, aftësi të larta komunikimi dhe prezantimi;
– Aftësi analitike dhe vendimmarrjeje të shpejtë.
🚀 Si të aplikosh
📧 Dokumentet duhet të dorëzohen deri më 30.9.2025, ora 16:00:
- 🌐Elektronikisht, në këtë link,
- 📧 Me postë drejtuar:
📍 Agjencisë Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it
“Ibrahim Rugova”, Sky Tower, kati 13, Tiranë
Kujdes ⚠️ Që aplikimi juaj të jetë i vlefshëm duhet të bëhet në të dyja mënyrat e përcaktuara më sipër.
📬 Pyetje? Na shkruani në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al
🔎 Përshkrimi i përgjithshëm i punës
- Mbikëqyr, kontrollon dhe inspekton veprimtarinë e subjekteve të lejuara sipas ligjit dhe rregullave të miratuara në bazë të tij dhe, kur është nevoja, koordinon procesin në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë dhe institucione të tjera.
- Mbikëqyr, kontrollon dhe inspekton aktivitetin e lejuar në çdo fazë dhe për çdo cikël prodhimi, për të siguruar që aktiviteti:
a) kryhet në përputhje me parashikimet ligjore dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatimin e tyre, me përcaktimet e bëra në leje, si dhe me përcaktimet në planin e miratuar të prodhimit;
b) nuk kryhet në kundërshtim me qëllimet e ligjit dhe me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë; - Në bashkëpunim me strukturat e ministrisë përgjegjëse për bujqësinë hartojnë raportin mbi tokat që plotësojnë standardet për kultivimin e cannabis-it për qëllime industriale, i cili i paraqitet ministrit përgjegjës për bujqësinë nga Agjencia.
- Koordinon procesin e vlerësimit të ndikimit potencial që mund të ketë kultivimi i bimës së cannabis-it në ekosistemet dhe hidrologjinë duke siguruar zbatimin e rregullave mjedisore dhe minimizimin e efekteve negative në burimet natyrore me qëllim ruajtjen e mjedisit dhe tokës.
- Siguron dhe monitoron implementimin e standardeve GACP, GMP dhe ISO që të ruhen standardet më të larta në proceset e kultivimit të bimës së cannabis-it për garantuar një prodhim të qëndrueshëm dhe efikas nëpërmjet monitorimit të ndjekjes së zbatimit të standardeve për optimizimin e fertilitetit të tokës, menaxhimit të ujit, zgjedhjes së vendndodhjes së mjedisit, disponueshmërisë së ushqyesve minerale të tokës dhe mirëmbajtjes mjedisore, grumbullimit dhe përpunimit.
- Monitoron procesin për të garantuar kultivimin vetëm të farërave dhe fidanëve të regjistruar në institucionin përgjegjës për regjistrimin e farërave dhe fidanëve, si dhe importin vetëm nga subjektet e pajisura me leje dhe autorizim importi, si dhe monitoron procesin e importimit të farërave dhe fidanëve që janë varietete të kultivimit të cannabis-it për qëllim industrial, të përfshira në Katalogun e Përbashkët Evropian të Varieteteve të Bimëve në Agrokulturë, si dhe procesin e riprodhimit të tyre. .
- Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për doganat për të monitoruar regjimin e importit të farërave e të fidanëve, si dhe regjimin e eksportit të nënprodukteve ose produkteve përfundimtare të cannabis-it industrial.
- Mbikëqyr dhe garanton sipas përcaktimeve të ligjit që të gjithë zotëruesit e një leje, të shënjojnë bimën, farën, substancën, preparatin, produktin, që është objekt i veprimtarisë së tij, dhe të zbatojnë të gjithë legjislacionin lidhur me shënjimin dhe gjurmimin.
- Mbikëqyr, kontrollon dhe inspekton, në bazë të lejes, ambientet dhe selitë ku bëhet përpunimi i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të cannabis-it për qëllime industriale.
- Koordinon proceset e punës në bashkëpunim me punonjësit e drejtorisë përgjegjëse të licencimit, si dhe të njësisë përgjegjëse për lejet në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, për realizimin e objektivave.
- Kontrollon dhe inspekton të gjitha proceset e kultivimit të bimës së cannabis-it për qëllime industriale në çdo fazë të mbjelljes, korrjes, tharjes, ruajtjes dhe magazinimit, prodhimit të lëndës së parë bimore.
- Monitoron sipas njoftimit të subjektit procesin e: i) mbjelljes së farës; ii) vjeljes së bimës së cannabis-it; iii) tharjes, pastrimit dhe ndarjes duke identifikuar sasinë e prodhuar, si dhe verifikon nëse është kryer procesi i shenjimit të materialit të prodhuar nga bima e cannabis-it.
- Mbikëqyr dhe monitoron mbjelljen dhe kultivimin e bimës së cannabis-it dhe nënprodukteve të saj, që përdoren për qëllime industriale dhe, nëse konstaton që subjekti ka mbjellë ose ka kultivuar sasi të ndryshme nga ato të parashikuara në leje, vendos asgjësimin e tyre.
- Gjatë mbikëqyrjes, kontrollit dhe inspektimit sipas parashikimeve të ligjit, shkëmben informacion me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme/Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit, si dhe autoritetet e tjera kompetente.
- Bashkëpunon dhe shkëmben informacion me Policinë e Shtetit dhe institucione të tjera kombëtare apo ndërkombëtare, me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e luftës ndaj përdorimit, trafikut të narkotikëve dhe substancave psikotrope, dhe ndaj pastrimit të të ardhurave prej aktivitetit të paligjshëm.
- Merr masa për sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve të cannabis-it apo nënprodukteve të tij, sipas parashikimeve në ligj dhe kryen mbikëqyrjen gjatë procesit të asgjësimit të bimës së cannabis-it dhe nënprodukteve të saj apo produkteve përfundimtare në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe ministrinë përgjegjëse për mjedisin.
- Konstaton dhe sanksionon kundërvajtjet administrative dhe propozon masat administrative me gjobë, ndalim të ushtrimit të veprimtarisë, pezullim dhe shfuqizim të lejes ndaj subjekteve , sipas ligjit dhe, në kushtet e konstatimit të shkeljeve të Kodit Penal, raporton, në zbatim të parashikimeve të Kodit Penal, pranë autoriteteve përkatëse sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.
- Regjistron në Regjistër të dhënat dhe aktet sipas parashikimeve ligjore dhe akteve nënligjore në fuqi. I rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm zgjidhje alternative të mundshme brenda kuadrit ligjor dhe teknik për problematikat e ndeshura, apo rasteve konkrete të paraqitura për zgjidhje.
- Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm ose Drejtori i Drejtorisë, si dhe detyra që lidhen me monitorimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin.
✔️Vlerësimi i kandidatëve
Kandidatët vlerësohen në bazë të:
- 📝 Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit, në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë.
- ✅ Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale, për pozicionin e punës.
- 💬 Intervistës, lidhur me:
- aftësitë dhe kompetencën për pozicionin e kërkuar,
- motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë për karrierën.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar dhe mënyrës së përcaktuar në këtë shpallje, sjell skualifikim të kandidatit.
✨ Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret të aplikojnë! ✨