Më 14 janar 2025, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC), Prof. Ass. Linda Pustina, dhe Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, firmosën një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi, duke hapur një kapitull të ri në partneritetin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe atyre akademike. Kjo marrëveshje synon të kombinojë ekspertizën akademike dhe praktike për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të avancuar standardet në fushën e kontrollit, kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it.
AKKC do të mbështesë UBT-në në zhvillimin e kurrikulave që mbulojnë aspektet ligjore, teknike dhe kontrollin e cilësisë së bimës së cannabis-it, duke ofruar ekspertizë dhe njohuri mbi standardet ndërkombëtare dhe avancimet teknologjike. Për më tepër, AKKC do të ndihmojë UBT-në në krijimin e partneriteteve ndërkombëtare në këtë sektor, përmes rrjeteve ku ajo aderon, duke mundësuar aplikimin e praktikave më të mira ndërkombëtare. Mbështetja do të përfshijë gjithashtu sigurimin e standardeve më të larta për sigurimin e cilësisë dhe ngritjen e laboratorëve të certifikuar, si dhe promovimin e inovacionit në metodat e kultivimit, mbrojtjes dhe monitorimit të bimëve.
Kjo marrëveshje përfaqëson një qasje të re bashkëpunimi, ku institucione shtetërore dhe universitete bashkojnë forcat për të sinergjizuar përpjekjet e tyre në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përparimit teknologjik. Ky partneritet synon jo vetëm përmirësimin e standardeve kombëtare, por edhe forcimin e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në nivel ndërkombëtar, duke e pozicionuar vendin si një lider në fushën e kontrollit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it.
Firmosja e kësaj marrëveshjeje pasqyron vizionin e përbashkët të dy institucioneve për të nxitur kërkimin shkencor dhe për të avancuar praktikën në këtë sektor të rëndësishëm.
Për më shumë informacion mbi zhvillimet dhe rezultatet që do të pasojnë lidhjen e kësaj marrëveshjeje, si dhe projekte të tjera të AKKC-së, ju ftojmë të ndiqni faqen tonë zyrtare.