Më 8–10 dhjetor 2025, përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC) morën pjesë në takimin vjetor të organizuar nga Shoqata e Rregullatorëve të Cannabis-it në SHBA (CANNRA), zhvilluar në Atlanta, Georgia.
Ky event mblodhi përfaqësues nga autoritete rregullatore shtetërore amerikane si dhe përfaqësues nga shtete si Hollanda, Malta, Kanadaja dhe Shqipëria për të shkëmbyer praktikat më të mira, për të diskutuar sfidat rregullatore dhe për të forcuar bashkëpunimin institucional në fushën e kontrollit dhe rregullimit të kultivimit dhe qarkullimit të bimës së cannabis-it, nënprodukteve dhe produkteve të saj.
Temat kyçe përfshinë:
• Përballja e autoriteteve rregullatore me sfida të tilla si mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare, auditimet dhe kufizimet buxhetore.
• Siguria e produkteve dhe pajisjeve avulluese (vape) nga perspektiva e shëndetit publik.
• Evolucioni i politikave për pijet me THC.
• Parandalimi i mashtrimit dhe garantimi i integritetit laboratorik.
• Sistemet e gjurmueshmërisë dhe përdorimi i të dhënave.
• Përdorimi efektiv i kërkimit shkencor për mbështetjen dhe avancimin e objektivave rregullatore.
• Bashkëpunimi ndër-juridiksional.
• Mbikëqyrja e licencimit dhe strukturat e biznesit.
Përfaqësuesit e AKKC patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja me homologë nga juridiksione si California, Maryland, Nevada, Colorado, Minnesota dhe Montana me qëllim zhvillimin e politikave të informuara dhe përafrimin e kuadrit rregullator shqiptar me praktikat më të mira ndërkombëtare.




