AKKC vizitoi qendrën Torrey Holistics, subjektin e parë të licencuar në shtetin e Kalifornisë, SHBA. Ky aktivitet i licencuar për shpërndarjen e shitjen e produkteve dhe nën-produkteve të cannabis-it, është një nga qendrat kryesore në Kaliforni.
Gjatë zhvillimit të kësaj vizite, AKKC pati mundësinë të njihet nga afër me larminë e produkteve, proceset komplekse të punës, si dhe me kërkesat rigoroze ligjore që drejtojnë këtë industri dinamike. Drejtuesit e Torrey Holistics prezantuan në mënyrë praktike sistemin e avancuar të gjurmimit, i cili garanton transparencë dhe standarde të sigurta përgjatë çdo faze të shpërndarjes, duke monitoruar udhëtimin e produktit nga fara deri te pika e fundit e shitjes, sipas parimit gjithëpërfshirës “from seed to sale”.
Prezantimi praktik i proceseve të operimit dhe mënyrës se si këto procese sigurojnë përputhshmëri me kriteret dhe kushtet e licencimit, në përputhje me kuadrin ligjor të shtetit të Kalifornisë, ofroi një perspektivë të qartë mbi rëndësinë e sistemeve të avancuara të kontrollit të cilësisë, për të garantuar siguri dhe integritet në çdo fazë të kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it.