Në kuadër të mbështetjes nga instrumenti TAIEX, Agjencia Kombëtare për Kontrollin e Cannabis-it (AKKC), së bashku me përfaqësues nga institucionet shqiptare të përfshira në zbatimin e Ligjit nr. 61/2023, zhvilloi një takim zyrtar me INFARMED – Autoritetin Kombëtar për Barnat dhe Produktet Shëndetësore të Portugalisë.
Gjatë këtij takimi, AKKC u njoh nga afër me modelin portugez të rregullimit dhe mbikëqyrjes së veprimtarive të lidhura me cannabis-in për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përfshirë proceset e licencimit, inspektimit dhe sigurimit të përputhshmërisë me standardet e Bashkimit Evropian (GACP, GMP, GDP).
U vlerësua veçanërisht roli qendror i INFARMED-it në dhënien e autorizimeve dhe certifikimeve për aktivitetet përkatëse, me synim garantimin e praktikave të mira përgjatë gjithë zinxhirit të prodhimit, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me strukturat e sigurisë për të parandaluar keqpërdorimet dhe për të garantuar zbatimin e kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ky takim, i cili hap rrugën për forcimin e bashkëpunimit teknik dhe institucional ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre portugeze, përbën një përvojë shumë të vlefshme për AKKC-në, duke ofruar një model referimi për hartimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor kombëtar në fushën e licencimit, kontrollit dhe inspektimit.