Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC) morën pjesë në datat 29-30 prill 2025 në konferencën ndërkombëtare “ICBC Berlin 2025”, një nga konferencat më të rëndësishme për industrinë e cannabis-it mjekësor dhe industrial në Evropë. Konferenca shërbeu si një hapësirë për shkëmbimin e përvojave, nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe prezantimin e risive teknologjike në këtë sektor.
Një nga temat kryesore ishte përputhshmëria me standardet GMP (Good Manufacturing Practices), ku u theksua roli i këtyre praktikave në garantimin e cilësisë, sigurisë dhe transparencës përgjatë të gjithë zinxhirit të prodhimit. Panelistët ndanë përvoja konkrete mbi mënyrat e zbatimit të standardeve, duke përfshirë kontrollin e ambientit të prodhimit, procedurat e standardizuara të punës, trajnimin e vazhdueshëm të stafit dhe testimet rigoroze të produkteve.
Pjesë e rëndësishme e konferencës ishte edhe panairi i dedikuar teknologjive të avancuara, ku u prezantuan zgjidhje inovative për testim në terren dhe monitorim të bimëve nëpërmjet pajisjeve të automatizuara dhe sensorëve inteligjentë. Këto teknologji synojnë të rrisin efikasitetin dhe cilësinë e produkteve, duke lehtësuar njëkohësisht përmbushjen e kërkesave rregullatore.
Për AKKC-në, pjesëmarrja në këtë konferencë përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe ndjekjes së zhvillimeve më të fundit në industrinë globale të përdorimit të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.