Më 19 maj 2025, Agjencia Kombëtare për Kontrollin e Cannabis-it (AKKC), me mbështetjen e instrumentit TAIEX të Bashkimit Evropian, zhvilloi një takim zyrtar pranë Institutit për Sjelljet e Varësisë (ICAD) në Lisbonë, Portugali. Në përbërje të delegacionit shqiptar ishin edhe përfaqësues nga Kryeministria, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.
Delegacioni u prit nga drejtues të lartë të ICAD-it, përfshirë z. João Goulão, President i Bordit Ekzekutiv, znj. Ana Sofia Santos, Drejtuese e Observatorit Kombëtar të Drogave, si dhe përfaqësues nga Njësia për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim.
Gjatë takimit, AKKC u njoh nga afër me praktikat më të avancuara BE-së në mbledhjen dhe analizën e të dhënave për politikëbërjen publike, me fokus të veçantë në Sistemin Kombëtar të Informacionit, strukturën e Observatorit Kombëtar të Drogave dhe Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm, si modele frymëzuese për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve në Shqipëri.
Vizita në ICAD përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional me partnerë evropianë dhe krijimit të kontakteve strategjike për zhvillimin e një qasjeje të koordinuar dhe të integruar në mbikëqyrjen e substancave të kontrolluara në Shqipëri.