Një delegacion i Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC), i udhëhequr nga Znj. Linda Pustina, së bashku me anëtarë të Komisionit të Licencimit dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zhvilloi më datat 29-30 tetor 2024 një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë vizitës, delegacioni pati takime frytdhënëse me institucione kyçe të sektorit, si Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (MALMED), Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Gjatë këtyre takimeve, u diskutuan përvojat dhe sfidat që Maqedonia e Veriut ka hasur në kontrollin e sektorit të cannabis-it mjekësor dhe industrial. U shqyrtuan mundësitë për të adresuar këto sfida dhe për të shkëmbyer njohuri dhe praktika të suksesshme, duke u mbështetur në eksperiencën e këtij vendi.
Një moment i veçantë i vizitës ishte inspektimi i një stabilimenti të prodhimit të cannabis-it mjekësor, ku delegacioni pati mundësinë të njihej nga afër teknologjinë dhe standardet që aplikohen në këtë sektor. Ky aktivitet ndihmoi në thellimin e njohurive mbi praktikat më të mira dhe potencialin ekonomik të kësaj industrie.
Në përfundim të vizitës, AKKC dhe MALMED shprehën angazhimin për të vazhduar përpjekjet e tyre për të forcuar bashkëpunimin rajonal, nëpëmjet projekteve të përbashkëta dhe duke krijuar mekanizma mbështetës që ndihmojnë në adresimin e sfidave dhe promovimin e këtij sektori.